Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejonë Mihali, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve dhe reagimeve publike lidhur me mbylljen e përkohshme të qumështores “Vita”, duke hedhur akuza ndaj grupit Devolli dhe personave që, sipas saj, lidhen me ta.
Në një postim, Mihali ka pretenduar se pas reagimeve në rrjete sociale qëndrojnë interesa të lidhura me pronësinë e kompanisë.
“A dolën të gjithë zarat e Devollit mbrëmë me statuse? A ka mbetur ende dikush pas perdeve pa folur me vetmbylljen e fabrikës nga vet Devollët?”, ka shkruar ajo.
Ajo ka përmendur edhe strukturën pronësore të kompanisë që, sipas saj, lidhet me Devollët.
“‘Abrazen L.L.C’, firma malteze, që fsheh pronarët e vërtetë, pra Devollin, ose konkretisht Jona Devolli, me shtetësi të Serbisë, që e ka Qumështoren ‘VITA’ i ka këta që me një fishkëllimë i ngre në këmbë”, ka shkruar Mihali, duke shtuar se reagimet vijnë nga “oda ekonomike, kryetarë komunash dhe segmente të opozitës”.
Ajo ka komentuar edhe reagimet publike, duke thënë se ato janë të koordinuara.
“Shihini reagimet dhe i dalloni kë e telekomandojnë ata. Kuptohet Përpamiu në rresht të parë. Kuptohet jo për diçka të mirë, kurrë jo. Vetëm me ia mbulu prapësitë”, ka shkruar ajo.
Mihali ka përmendur edhe disa figura publike, duke kritikuar mënyrën e reagimit të tyre.
“Edhe diçka doli në pah mbrëmë, shumë i lodhur Adriatiku në mbrojtje krahasuar me Vehbiun. Të llogarisësh sa shumë e paguajnë Adriatikun, e prapë nuk ia doli mbrëmë siç duhet. Gjynah që nuk e bëjnë Vehbiun drejtor të klanit”, ka shkruar ajo.