Andin Hoti nënshkruan marrëveshje me Shqipërinë për mobilitetin në punë: Lehtësohet qasja në tregun e punës

Prishtinë | 03 Kor 2026 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare në Republikën e Kosovës, Andin Hoti ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij të parë bilaterale në nivel ministror jashtë vendit, të zhvilluar në Shqipëri, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit për Mobilitetin në Punë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj.

Sipas tij, marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe të krijojë më shumë mundësi për qytetarët në fushën e punësimit dhe zhvillimit profesional.

“Takimi im i parë bilateral në nivel ministror jashtë Kosovës nuk mund të kishte një domethënie më të madhe. Ai u zhvillua pikërisht në Shqipëri – aty ku historia, gjuha dhe identiteti ynë kombëtar na kujtojnë se kufijtë nuk e ndajnë përkatësinë tonë”, ka deklaruar ministri.

Ai tha se vizita kishte edhe një rëndësi personale, duke kujtuar një thënie të babait të tij, të cilën e lidhi me përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Përtej përgjegjësisë shtetërore që mbaj, kjo vizitë kishte edhe një peshë të veçantë emocionale për mua. Gjatë këtij takimi m’u kujtua një thënie e babait tim: ‘Bëje ose vdis.’ Pikërisht me këtë frymë po ndërtojmë ura bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke afruar qytetarët tanë dhe duke hequr pengesat që kufijtë administrativë nuk duhet t’i krijojnë mes një kombi”, u shpreh ai.

Ministri bëri të ditur se marrëveshja e nënshkruar me homologen shqiptare, Delina Ibrahimaj, do të lehtësojë procedurat për qytetarët që synojnë të punojnë në shtetin tjetër.

“Sot, së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë, znj. Delina Ibrahimaj, nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Mobilitetin në Punë. Kjo marrëveshje forcon lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe krijon mundësi më të mëdha për qytetarët tanë në fushën e punësimit dhe zhvillimit profesional”, tha ai.

Sipas ministrit, një nga rezultatet kryesore të marrëveshjes është lehtësimi i qasjes në tregun e punës për qytetarët e të dy vendeve.

“Një nga rezultatet kryesore është lehtësimi i qasjes në tregun e punës, duke mundësuar që qytetarët e të dy vendeve të kenë procedura më të thjeshta dhe më të shpejta për punësim në shtetin tjetër. Kosova dhe Shqipëria nuk i bashkon vetëm historia dhe gjaku. Na bashkon edhe përgjegjësia për të ndërtuar një të ardhme me më shumë mundësi për qytetarët tanë. Ky është vetëm një hap tjetër drejt këtij qëllimi të përbashkët”, shtoi ai.

Të ngjashme