Rreth 10,000 persona janë evakuuar nga ishulli indonezian, Lombok pas tërmetit 6.9 shkallësh të së dielës, i cili ka lënë të vdekur afër 100 persona.
Zëdhënësi për Menaxhimin e Katastrofave, Sutopo Purwo Nugroho, ka thënë se veriu i ishullit Lombok është dëmtuar rëndë.
Sipas tij numri i të vdekurve është 98, mirëpo kjo shifër “do të rritet me siguri”.
Ai po ashtu ka njoftuar se deri më tani janë plagosur rreth 236 persona.
Dëshmitarët kanë folur në kushte të kaosit dhe tmerrit derisa mijëra ndërtesa janë dëmtuar dhe janë ndalur linjat e komunikimit dhe energjisë elektrike.
Anijet janë dërguar për të evakuuar më shumë se 1,000 turistë nga ishulli i afërm Gili.
Agjencitë për ndihma kanë thënë se prioritet kanë sigurimin e strehimit për banorët që janë shumë të frikësuar për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.
Agjencitë kanë thënë se ky tërmet ka lënë më shumë pasoja, në krahasim me tërmetin e javës së kaluar që ka lënë të vdekur 16 persona.
Presidenti, Joko Widodo ka bërë thirrje për evakuuim të shpejtë, duke kërkuar më shumë fluturime në zonat e prekuara.