Mijëra protestues kundër masave kufizuese në Holandë

Prishtinë | 04 Dhj 2021 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Disa mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në qytetin Utrecht të Holandës për të protestuar kundër kufizimeve ndaj pandemisë, të cilat u vendosën në fuqi në fundjavën e kaluar.

Protestuesit ecën rrugëve duke mbajtur në duart pankarta ku shkruhej “Liri Mjekësore Tani” dhe duke valëvitur flamuj holandezë. Përgjatë rrugëtimit të protestuesve u vërejt pranie e madhe e policisë, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Kjo ishte protesta e parë e madhe në Holandë kundër masave, në të cilat përfshihen mbyllja e hershme e restoranteve e bareve dhe e shumicës së shitoreve për ta luftuar rritjen e numrit të infeksioneve, që po rrezikon ta stërngarkojë sistemin shëndetësor.

Holanda u përball me protesta të dhunshme para dy javëve, pasi qeveria i publikoi planet për t’ua ndaluar të pavaksinuarve qasjen në shumicën e hapësirave publike.

Këto plane po kundërshtohen edhe nga një pjesë e deputetëve, përfshirë disa të partive të koalicionit qeveritar. Masat e tilla nuk janë vendosur ende.

Të ngjashme