Mijëra protestues mbushin sheshet e Parisit kundër Macron’it dhe vaksinimit

Prishtinë | 09 Jan 2022 | 11:30 | Nga Ekonomia Online

Pak ditë nga deklarata e presidentit të Francës, Macron se do t’u nxijë jetën të pavaksinuarve, mijëra persona kanë dalë kundër tij, duke shprehur pakënaqësi kundër kreut të shtetit francez, 3 muaj përpara zgjedhjeve presidenciale.

Mijëra francezë mbushën rrugët e Parisit ku kundërshtojnë miratimin e vaksinimit të detyrueshëm Anti-Covid nga Dhoma e Ulët.

Protestat vijnë edhe pas gjuhës që përdori presidenti, Emmanuel Macron, i cili u shpreh se do t’ua nxinte jetën të pavaksinuarve.

Deklaratat e tij nxitën reagime të ashpra nëpër medie nga palët kundërshtare dhe qytetarët.

Kandidati për president, Florian Filipot e quajti presidenti Macron të çmendur që çon vetëm në përçarje.

“Kemi më shumë njerëz se më 17 korrik, francezët po zgjohen dhe po ngrihen kundër sharjeve të një kreu shteti të çmendur që çon vetëm në fyerje, përçarje dhe aparteid kundër popullit të tij. Kjo ndodh për herë të parë në historinë e Republikës së Francës, francezët nuk e pranojnë këtë, duan respekt, liri dhe trajtim të barabartë mes tyre. Ata ndihen qytetarë dhe jo bisha”, tha ai, përcjell oranews.

Një protestuese u shpreh se Macron po fut në konflikt të vaksinuarit me ata që nuk e kanë marrë vaksinën.

“Presidenti po vë përballë njerëzit e vaksinuar kundër atyre të pavaksinuar dhe kjo nuk është e denjë për një president.”

Një tjetër protestuese u shpreh se Macron i ka fyer rëndë, duke mos respektuar kushtetutën.

“Është një sulm ndaj lirive tona, unë nuk jam e vaksinuar, është liria ime. Macron nuk respekton Kushtetutën, ai na ka ofenduar rëndë”, shtoi ai.

Opozita, njëzëri kritikoi ashpër sulmin e Macronit ndaj të pavaksinuarve duke fituar terren në popullin francez.

Në Francë sipas të dhënave zyrtare mbi 5 milionë njerëz janë ende të pavaksinuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme