Sot ka nisur faza e re e shpërndarjes nga ajri të vaksinave kundër tërbimit të kafshëve, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Për pesë ditë radhazi, këto vaksina do të shpërndahen me aeroplanë në tërë territorin e Kosovës. Kjo është faza e pestë e fushatës së vaksinimit kundër tërbimit, si pjesë e iniciativës rajonale të kontrollit të kësaj sëmundjeje në tërë Ballkanin Perëndimor dhe do të zgjasë deri më 15 maj”, thuhet në komunikatë, transmeton KOHA.
Tutje thuhet se për të arritur një imunizim të plotë të dhelprave nga tërbimi, ekspertët vlerësojnë se është e nevojshme që vaksinime të tilla të bëhen për disa vite rresht.
Agjencia i Ushqimit dhe Veterinës, si përfituese e këtij projekti, thotë se është drejtpërdrejtë përgjegjëse për monitorimin e zbatimit dhe vlerësimin e ndikimit në uljen e rrezikut të sëmundjes së tërbimit te kafshët.
“Pjesë e kësaj fushate të vaksinimit janë disa aeroplanë, që përmes makinerive speciale dhe hartave të sakta do të shpërndajnë edhe mijëra vaksina karrem brenda kësaj periudhe 5 ditore. Vaksinimi kundër tërbimit po bëhet tek dhelprat, pasi këto kafshë janë burimi kryesor i kësaj sëmundjeje me pasoja fatale që transmetohet edhe te qentë dhe te njeriu”, thuhet në komunikatë.
E mbështetur nga Bashkimi Evropian, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës është duke zbatuar një procedurë moderne, që garanton vaksinimin e sigurt te dhelprat, kurse i tërë procesi i shpërndarjes se vaksinës po kryhet nga ajri dhe në mënyrë të kontrolluar.
Përmes kësaj fushate vetëdijesimi, e cila ka filluar para disa ditëve në mediat publike dhe private, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka njoftuar për datat e sakta të fushatës dhe procesin në terren.
“Ky institucion ka apeluar vazhdimisht që gjatë kësaj periudhe apo më vonë, nëse banorët e zonave rurale gjejnë vaksina afër vendbanimeve, të mos i prekin ato, të mos i hapin apo të mos ua japin kafshëve të tyre, pasi mund të rrezikojnë shëndetin e tyre. Implementimin e këtij projekti po e bën konsorciumi kosovaro-çek, N.T.SH Fauna dhe Bioveta. Kohëzgjatja e projektit do të jetë deri në tetor të vitit 2020 dhe vlera e tij sillet në rreth 1 milion euro”, thuhet në komunikatë.