Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci ka thënë se vazhdimin e seancës konstituive do ta thërrasë “në momentin e parë” që lajmërohet zyrtarisht nga deputetët e PAN-it se i kanë numrat për votimin e kryeparlamentarit dhe të qeverisë së re.
“Seancën e vazhdoj kur të ma konfirmon zyrtarisht PAN-it se i ka bërë numrat. Sepse veç në bazë të lajmeve në media nuk mundem me thirr seancën me i end deputetët prej Kosovës me pi nga një kafe”, ka thënë Mikullovci për KALLXO.com
Madje, deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës thotë se është i gatshëm ta thërrasë seancën brenda ditës nëse PAN-i i konfirmon numrat dhe kërkojnë vazhdimin e seancës.
“Unë nuk iu bëj ftesë atyre me ju thonë bjermani listën, ata duhet me konfirmu që i kanë numrat dhe me kërku seancën. Në atë moment që e kërkojnë seancën, atë ditë ua caktoj seancën. Pra pres konfirmimin zyrtar të tyre”, shtoi Mikullovci.
Aleanca Kosova e Re dje gjatë ditës u largua nga koalicioni me LDK-në dhe Alternativë kurse në mbrëmje nënshkroi marrëveshje për të hyrë në Qeveri me koalicionin PDK-AAK dhe Nisma për Kosovën.
Deri tani, deputetët janë mbledhur gjashtë herë pa mundur ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për kandidatin e PAN-it për kryetar të Kuvendit, Kadri Veseli.