Ish-deputeti dhe gazetari kosovar, Milaim Zeka ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti momentalisht gjendet përpara presionit vendor dhe ndërkombëtar për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, raporton Gazeta Express.
Në një shkrim në Facebook, Zeka thotë se diplomatët e vendeve perëndimore kishin ngelur të shokuar kur është publikuar vendimi për shkarkimin e Valdete Dakës nga kryetarja e KQZ-së.
Tutje, Zeka thotë se përfaqësuesit e vendeve perëndimorë e kishin këshilluar Kurtin që të merrej me premtimin elektoral “Shkon Lumezi – vjen Elezi”.
“Madje, një diplomat i nivelit të lartë nga Brukseli tha që “Lumezi duhet të ndiqet penalisht dhe të të kthejë mbrapsht në buxhetin e Kosovës, të gjitha paratë që ka marrë me diplomë false”, ka shkruar tutje Zeka.
Ai ka paralajmëruar se për të bërë më të lehtë largimin e Lumezit nga pozita e kryeprokurorit të shtetit, brenda një kohe të shkurtër do të publikohen përgjime që do të implikojnë kryeprokurorin në “vepra të rënda”.
Zeka tutje ka thënë se në kushte normale një kryeprokuror që është goditur nga kryeministri gjatë fushatës zgjedhore, do të jepte dorëheqje.