Deputeti i NIsmës, Milaim Zeka, gjatë ditës së nesërme pritet që të dalë para gjyqit, jo për kërcënimet ndaj prokurorit, por kësaj radhe nën akuzat për mashtrim e pastrim të parave.
Dështimi i seancës së kaluar për shkak se Gjykata nuk kishte lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij në seancë pasi ishte në paraburgim në lidhje me një rast tjetër, duket se këtë herë nuk do të ndodhë, deputeti Zeka do të paraqitet në gjykatë ku do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, shkruan gazetametro.net.
Në këtë seancë, duhet të paraqiten dhe dy të bashkakuzuarit Ilir Krasniqi e Edmond Kërliu.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër të pandehurve Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, për veprat penale mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.
Sipas aktakuzës, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin si agjenci punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.
Të pandehurit Prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.
Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas Prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.