Një stuhi e rrallë dimërore ka sjellë temperatura të acarta në të paktën gjysmën e territorit të Shteteve të Bashkuara, duke lënë 2.5 milionë banorë të Teksasit pa energji elektrike.
Dëbora dhe temperaturat e ulëta në nivel rekord vazhduan edhe të mërkurën në këtë shtet në kufi me Meksikën. Moti i pazakontë ka shtuar tepër kërkesën për energji elektrike për ngrohjen e mjediseve të brendshme, duke mbingarkuar sistemin energjetik. Kjo rezultoi në ndërprerje të furnizimit me energji si pasojë e problemeve në rrjet.
Lina Hidalgo, gjykatësja e komunës Harris, tha se disa nga ndërprerjet e energjisë janë shkaktuar nga moti dhe shumë prej tyre po riparohen.
Por ajo shtoi se shumë nga problemet në këtë shtet janë “fatkeqësi të shkaktuara nga njeriu” si rezultat i problemeve në rrjetin elektrik që menaxhohet nga Këshilli për Energji të Qëndrueshme në Teksas (ERCOT), duke shtuar se qytetarët në këtë shtet meritojnë shpjegime nga agjencia e mbikqyrjes energjetike.
Parashikimet meteorologjike flasin për vazhdimin e motit të acartë për të paktën disa ditë në Teksas dhe pjesën lindore të vendit. \ Voa