Milionave për lobim në SHBA, Serbia ia shton edhe 720 mijë Dollarë tjera për angazhimin e top-kompanisë amerikane

Prishtinë | 22 Gus 2023 | 19:25 | Nga Ekonomia Online

Derisa Qeveria e Kosovës i ka degraduar kontratat për lobim në SHBA “në peshkeshe” për dosta e militantë të tyre, Serbia po tregohet dorëshlirë në marrëveshjet me top-kompanitë amerikane për ngritjen dhe promovimin e çështjes së saj përtej Atlantikut. Së paku 720 mijë Dollarë, së fundmi, shteti serb i ka bërë “deal” me një nga kompanitë më të njohura amerikane për PR (komunikim me publikun).

Së paku 720 mijë Dollarë si vlerë fillestare të kontratës vjetore ka nënshkruar ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, në emër të shtetit të Serbisë, në korrik të këtij viti, me kompaninë e njohur amerikane për PR, “KARV Communications”, me qendër në New York, e seli të përhapura edhe në vende të ndryshme të botës.

Kontrata, e cila do t’i faturohet Qeverisë në Beograd nga 60 mijë Euro çdo muaj, për shërbimet dhe strategjinë e komunikimit që e ofron kompania amerikane, ka hyrë në fuqi nga 15 korriku 2023 dhe është dakorduar të zgjasë të paktën 1 vit, deri më 14 korrik 2024.

Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar një kopje të pikave të kontratës, për të cilat u dakordua ambasadori serb në SHBA me kompaninë “KARV Communications” me 11 korrik 2023.

Në dokument tregohet se KARV do të punojë me Qeverinë e Serbisë për të asistuar në promovimin e Serbisë në SHBA dhe drejt arritjes së informimit të audiencave të reja që të kuptohet pozita e shtetit serb në arenën ndërkombëtare.

Aty shpjegohet në pika të shkurta edhe strategjia me të cilën synohen rezultatet. Kjo përmes mediave standarde në SHBA (radio/TV/gazeta etj.) dhe atyre sociale. Si dhe me anë të bashkëbisedime të drejtpërdrejta dhe fjalime me grupe të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“KARV do të punojë me RS për të asistuar në promovimin e Serbisë, dhe drejt arritjes së audiencave të reja me informacione që do t’iu ndihmojnë që ta kuptojnë pozitën e Serbisë në arenën ndërkombëtare. Kjo do të bëhet përmes mediave standarde dhe sociale, përkitazi me bashkëbisedime të drejtpërdrejta dhe fjalime me grupe në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në pikën e parë të marrëveshjes së Gjuriqit me kompaninë amerikane, e cila përkufizon fushëveprimin e kontratës së arritur mes tyre.

Në dy pikat pasuese të kontratës, shpjegohen periudha e angazhimit të kontratës që në vit kap vlerën fillestare 720 mijë Dollarë, dhe forma e faturimit të saj për shërbimet.

Tutje, tregohet se përveç vlerës totale të kontratës, shteti serb i merr përsipër, përmes rimbursimit, edhe shpenzimet e drejtpërdrejta dhe shpenzimet tjera për implementimin e strategjisë për komunikim në SHBA së ofruar nga kompania amerikane për shtetin serb.

“Angazhimet dhe pagesat për palët e treta që ofrojnë produkte dhe shërbime, përtej shpenzimeve të zakonshme e të arsyeshme biznesore, nuk do të bëhen pa miratimin paraprak me shkrim nga RS dhe do të faturohen me 5 përqind tarifë shtesë”, parasheh kontrata.

“KARV Communications”, është një kompani për komunikim strategjik, e pranuar dhe e shtrirë në vende të ndryshme të botës, e specializuar për komunikimet e sofistikuara të korporatave dhe ato financiare, për menaxhimin e krizave dhe menaxhimin e reputacionit personal, si dhe për mbështetje në çështjet gjyqësore dhe çështjet publike.

Kompania, në faqen e vetë zyrtare, e përshkruan veten si ofruese e këshillave ligjore për klientët, këshillave lidhur me menaxhimin, lobim, këshilla financiare, teknologji, menaxhim rreziku dhe këshilltarë të tjerë të brendshëm ose të jashtëm.

Në mars të vitit 2022, “Politico”, në një artikull rreth lobistëve, avokatëve dhe profesionistëve të marrëdhënieve me publikun që inkurajojnë ndihmën për Ukrainën, e renditi kompaninë në fjalë në mesin e dy firmave që përfaqësojnë Shoqatën e Industrisë së Naftës dhe Gazit të Ukrainës dhe të cilat u përshkruan si “de facto, emisarë të çështjes ukrainase” dhe “nxitës” të ndihmës për Ukrainën.

Themeluesi dhe Presidenti i “KARV Communications”, Andrew Frank, në CV’në e tij ka edhe përvojën në Shtëpinë e Bardhë, si përfaqësues për komunikim dhe koordinim të mediave.

Të ngjashme