Pasuri milionëshe kanë deklaruar përgjegjësit kryesor të procesit të privatizimit në Kosovë, proces ky që është përcjellë në vazhdimësi me dyshime për keqpërdorime me prona shoqërore.
Drejtori menaxhues i sapoemëruar i Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP), Ekrem Hajdari, i cili më herët ka qenë zëvendësdrejtor i Doganave të Kosovës, ka deklaruar mbi 1 milionë euro patundshmëri në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit.
Është interesant fakti se Hajdari është ndër zyrtarët e paktë shtetëror që ka deklaruar letra me vlerë në njërën nga bankat më të mëdha ndërkombëtare, Raiffeisen Bank International, të cilat aksione ka deklaruar se i ka blerë më herët nga kursimet.
Ai i ka edhe 40 mijë euro para të gatshme në banka komerciale, përderisa paga e tij vjetore në AKP arrinë shumën e përgjithshme prej 51.611 euro, apo 4300 euro në muaj.
Zëvendësi i Hajdarit në AKP, Avni Jashari, ka deklaruar patundshmëri në vlerë prej 410 mijë euro dhe dy vetura që kushtojnë 35.000 euro. Ai ka të hyra vjetore nga AKP në vlerë prej 50.000 euro, apo mbi 4000 euro në muaj dhe 3640 euro që merr nga qiraja e banesave.
Zëvendësdrejtoresha tjetër e AKP-së, Valbona Dibra, ka deklaruar patundshmëri në vlerë prej 625.000 euro.
Ndërsa Ujkan Bajra, shef i auditimit të brednshëm në AKP, ka deklaruar rreth 100.000 euro para të gatshme në dy banka komerciale në Kosovë, si dhe në një bankë sllovene. Ai ka të hyra vjetore prej 56.000 euro nga tri burime të ndryshme financiare në sektorin publik dhe privat./Zeri/