Grupi militant, Shteti Islamik (IS) ka pretenduar të jetë përgjegjës për sulmin në ministrinë e Jashtme të Libisë në Tripoli, që ka rezultuar me tre persona të vdekur dhe të paktën 20 të tjerë të plagosur.
Sulmi i 25 dhjetorit në ndërtesën e ministrisë ka nisur pas shpërthimit të një makine-bombë si dhe sulmeve me armë zjarri nga tre persona të tjerë.
Dy prej tyre kanë hyrë në ndërtesë dhe kanë kryer sulme vetëvrasëse derisa personi i tretë është vrarë nga rojet e sigurimit.
Militantët e IS-it kanë thënë se janë përgjegjës për sulmin, sipas Grupit të inteligjecës, SITE, që vëzhgon aktivitetin online të organizatave xhihadiste.
Në mesin e personave të vdekur është dhe lideri i grupit të milicisë, Brigada Revolucionare, Abdul-Rahman Mazoughi.
Misioni Mbështetës i Kombeve të Bashkuara në Libi (UNSMIL) ka dënuar sulmin dhe ka theksuar nevojën e “parandalimit të grupeve terroriste, ashtu që të mos kthejnë tokën e Libisë në zonë për kryerjen e krimeve të tyre”.
Libia është përballur me trazira nga viti 2011 prej kur është rrëzuar nga pushteti dikatori, Muammar Qaddafi.
Ky shtet është i ndarë në mes të Qeverive rivale, të cilat mbështesin grupe të ndryshme të militantëve.