Tre mësues janë vrarë në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në Kenia, afër kufirit me Somalinë. Dyshohet se prapa këtij sulmi qëndrojnë militantët e grupit famëkeq, Al Shabaab.
Në raportin e policisë thuhet se në këtë sulm u plagos edhe një fëmijë nga plumbi qorr. Militantët e dogjën një stacion policor dhe e shkatërruan antenën e valëve.
Grupi “Al Shabaab” e ka vënë në shënjestër shtetin afrikan në sulmet e fundit si pjesë e fushatës hakmarrëse për dërgimin e trupave ushtarake në Somali në vitin 2011.
Megjithatë, sulmet e këtij grupi janë shtuar gjatë këtij muaji. Javën e kaluar, katër nxënës u vranë pas të shtënave me armë mes militantëve dhe policisë lokale në rajonin Garissa.
Shtetet e Bashkuara javën e kaluar dërguan trupa shtesë në Kenia pas vrasjes së tre amerikanëve gjatë një sulmi në një bazë ushtarake, e cila përdorej nga forcat vendore dhe amerikane.
Grupi “Al Shabaab” i ka nisur sulmet në Somali që nga viti 2008 me qëllim të rrëzimit të qeverisë dhe zbatimit të rreptë të sheriatit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express. .
Muajin e kaluar, së paku 90 persona u vranë në shpërthimin që ndodhi në kryeqytetin somalez, Mogadishu