Pas Vedat Muriqit edhe Milot Rashica përmes rrjeteve sociale ka sqaruar se pse ka munguar në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, duke u arsyetuar shkaku i lëndimit.
“Të gjithë e kemi ditur rëndësinë e ndeshjes kundër Maqedonisë së Veriut dhe dëshira ka qenë shumë e madhe që të jem bashkë me grupin, se edhe për mua personalisht do të ishte ndeshja më e rëndësishme deri tani në jetën time, por që nga ndeshja Moldavi-Kosovë ku kam pësuar një lëndim në gju nuk kam stërvitur as edhe njëherë të vetme bashkë me ekipin (afër 5 javë) dhe kam munguar në katër ndeshjet e para zyrtare të sezonit të ri”, ka thënë Rashica.
Tutje ai ka shtuar se përveç dhimbjes në gju ka qenë dhe është larg përgatitjes fizike, “për çka edhe nuk kisha mundur të jap kontributin tim në atë ndeshje. Ndjeva obligim që ta bëj këtë sqarim pasi pash reagimin e njerëzve”.
Kosova pësoi me rezultat prej 2 me 1 në Shkup në ndeshjen gjysmëfinale të “plajofit” të Ligës së Kombeve, duke humbur mundësinë që të kualifikohet në Evropian.