Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka quajtur përpjekje të kundërligjshme formimin e komisionit hetimor, të propozuar nga partia opozitare, PDK, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie, Kusari-Lila tha se VV-ja nuk ka çfarë të fsheh në raport me këtë komision.
“Sot ishim dëshmitarë të një përpjekje të kundërligjshme. Kjo ishte përpjekja e dytë e opozitës të cilët në kundërshtim me rregullat për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar. Ata tentuan të na vendosin para aktit të kryer. VV refuzoi të bëhet pjesë e kësaj vendimmarrje. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur në raport me kërkesat për hetim parlamentar, Ne nuk mund t’ia bëjmë numrat opozitës kur bëjnë shkelje, përkundër faktit që ne mbështesim”, u shpreh ajo.
Kusari tha se Lëvizja Vetëvendosje është për hetim parlamentar, por nuk mund të ju dalin në ndihmë opozitës duke shkelur normat ligjore.
“Ajo çka ne po shohim sot është një qasje kundërthënëse kur po kërkohet mbështetja jonë por edhe po paragjykohet ende pa filluar votimi. Deri në një rrethanë kur ata ofrojnë një zgjidhje që është e pranueshme, ne nuk mund të ju dalim në ndihmë përderisa bëjnë gabime që përcillen me shkelje të normave ligjore”, tha Mimoza Kusari-Lila.
Tutje, ajo akuzoi opozitën se nuk qëndruan në sallë për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare, e që sipas saj kapin vlerën e 100 milionë euro.
“Sot në mungesë të grupeve parlamentare të opozitës si rrjedhojë të largimit të tyre nga salla, mbeten pa u votuar 4 marrëveshje ndërkombëtare në vlerë 100 milionë euro”, tha Kusari Lila para gazetarëve.
Ndërkaq, deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi ka ftuar opozitën që të reflektojnë për të diskutuar mbi ndryshimin e Ligjit për Hetimin Parlamentar.
“PDK, LDK, AAK janë futur vet në bllokadë procedurale, nuk mund të na kërkohet të mbështesim diçka që është kundër ligjit. Ne ftojmë që ata të reflektojnë nëse reflektojnë ne mund të diskutojmë për ndryshimin e ligjit për Hetimin Parlamentar. Edhe abuzues edhe demokraci nuk shkojnë bashkë”, ka thënë Rrustemi.
Opozita ka lëshuar sot sallën e Kuvendit, pasi partia në pushtet nuk e përkrahu propozimin për futjen në rend dite të formimit të Komisionit Hetimor parlamentar për energjinë.