Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim deputeten e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, përfaqësuese e komunitetit boshnjak, me të cilën diskutuan për trashëgiminë kulturore.
Bëhet fjalë për pasurimin e trashëgimisë shpirtërore të trashëgimisë kulturore të Kosovës me trashëgiminë e komunitetit boshnjak.
Me këtë rast, ministrja Dumoshi, u shpreh se e mirëpret gatishmërinë e përfaqësuesve të komunitetit boshnjak të pasurojnë trashëgiminë kulturore të Kosovës.
“Kosova krenohet dhe e konsideron pasurinë më të madhe, diversitetin që ka në trashëgimi e kulturë, pasi që ka komunitete të ndryshme që bashkëjetojnë dhe MKRS-ja është e gatshme që të përkrah dhe bashkëpunojë me secilin komunitet që jeton në Kosovë e që kontribuon në pasurimin e trashëgimisë dhe kulturës tonë”, tha ministrja, duke iu bërë thirrje edhe komuniteteve tjera që ta bëjnë një gjë të këtillë, duke pasuruar trashëgiminë e duke plotësuar dokumentacionin në këtë fushë.
Ndërsa, deputetja Balje e falënderoi ministren për gatishmërinë dhe përkrahjen, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm pasurimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës edhe me trashëgiminë e komunitetit boshnjak.
Ministrja Dumoshi e deputetja Balje u pajtuan që së shpejti kjo çështje do të konkretizohet me një vizitë që ministrja do ta realizojë në Prizren për të parë për së afërmi veshjet, kulturën dhe trashëgiminë shpirtërore që ka komunitet boshnjak në regjionin e Prizrenit dhe më gjerë.