Ministrat e rajonit diskutojnë për menaxhimin e cilësisë së ajrit e zbutjen e ndryshimeve klimatike, kërkohet bashkëpunim

Prishtinë | 24 Maj 2023 | 14:27 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë, është mbajtur edhe debati “Zhvillimi i një qasjeje të përbashkët për menaxhimin e cilësisë së ajrit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor”, raporton Ekonomia Online.

Penalistë ishin ministri  i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, homologet e tij nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, Mirela Kumbaro Furxhi dhe Kaja Shukova, si dhe Dunja Mazzocco Drvar, drejtoreshë e Aktiviteteve Klimatike të Ministrisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm nga Republika e Kroacisë.

Panalistët theksuan problemet e vendeve të tyre në menaxhimin e cilësisë se ajrit dhe ndryshimeve klimatike, teksa zgjidhjen për këtë e panë në bashkëpunim më të thellë rajonal si dhe në përpjekjet vetanake të çdo shteti për monitorim më të mirë dhe kalim në energji të ripërtrishme.

Ata po ashtu theksuan edhe pasojat e ndryshimeve klimatike, si tërmetet e përmbytjet, të cilat patën kosto të lartë ekonomike dhe shoqërore.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, foli për problemet me të cilat ballafaqohet Kosova në këtë aspekt, teksa tha se do të jetë mjaft sfiduese kalimi në energji të ripërtrishme nga prodhimi i energjisë me qymyr.

Aliu po ashtu vlerësoi se bashkëpunimi rajonal, por edhe ai ndërkombëtar është shumë i nevojshëm pasi që “Kosova edhe ndikon edhe ndikohet nga ndryshimet klimatike”. Sipas Aliut, kufijtë në këtë aspekt nuk kanë rëndësi.

“Ky diskutim tregon që orientimi i vendit tonë por edhe i rajonit për nga brengosja për çështjet mjedisore është në rritje te vazhdueshme. Duhet ta kemi parasysh që jemi vend me kapacitete të limituara të ujit dhe se burim kryesor të energjisë e kemi prodhimin me qymyr. Jemi duke i reduktuar kapacitetet e qymyrit e duke i rritur kapacitetet e energjisë së ripërttishme. Përkundër përpjekjeve, ne ende nuk kemi qasje në mekanizmat ndërkombëtarë që të marrim financa”.

“Zgjidhja na mbetet projektet rajonale e kjo është e domosdoshme sepse nuk mund të luftojmë ndaras për një problem qe është global. Nuk mund ta rrisim cilësinë e ajrit pa u koordinuar së bashku. Duhet të kemi unitet shoqëror pot edhe unitet regjional. Kufijtë nuk kanë rëndësi në ndryshimet klimatike. Nuk mund të mos jemi në hartë kur Kosova edhe ndikon edhe ndikohet në ndryshimet klimatike”.

Kaja Shukova, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut, theksoi se bashkëpunimi është i dosidoshëm për suksesin e të gjitha vendeve të rajonit, raporton EO.

“Ne si shtet jemi shumë mirënjohës për evente të tilla ku mund të shkëmbejmë ca fjalë të cilat mund të na shpiejnë në ide dhe bashkëpunime të reja. Mund të kemi sukses vetëm nëse punojmë bashkë. Disa ndotës të ajrit ndikojnë direkt në ngrohjen globale. Efektet e ndotjes se ajrit janë edhe te shëndeti dhe vdekja e parakohshme. Prandaj, duhet bashkëpunimi rajonal dhe global është i nevojshëm”.

Ajo tregoi edhe disa nga masat e fundit që Maqedonia e Veriut po implementon, teksa ua rekomandoi edhe vendeve te tjera të rajonit.

“Jemi duke punuar që ti përmbushim përgjegjësitë tona ne konventat internacionale. Ka edhe përpjekje qe të modernizohet monitorimi i ndotjes se ajrit. Këtë e rekomandoj edhe për vendet e tjera të rajonit.  Kemi tri qëllime kryesore, që ta ruajmë ajrin, t’i ulim emisionet e gazrave dhe ta ruajmë shëndetin e njerëzve tanë. Prandaj, kërkoj që bashkëpunimi mos të ndalet”.

Ndërsa, Mirela Kumbaro Furxhi, ministre e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, tha se vendet e rajonit nuk janë kontribuueset më të mëdha në ngrohjen globale, por janë shtetet e zhvilluara ekonomikisht si ShBA-ja e Kina.

Megjithatë, edhe ajo njohi nevojën për ndryshime dhe përmirësime, sidomos për gjeneratat e ardhshme.

“Nuk besoj se vuajmë thjesht nga fakti se a e monitorojmë cilësinë e ajrit, por çfarë bëjmë për ta ruajtur atë. Nëse do t’i pyesnim qytetarët tanë se çdo të thotë ndryshime klimatike, edhe pse e kanë dëgjuar shumë, mendoj se nuk do ta dinin saktë. A është Shqipëria, apo Kosovë, apo Maqedonia e Veriut, pra vendet e Ballkanit, a janë përgjegjësitë kryesorë për ndryshimet klimatike në nivel global. Nuk besoj, të paktën për Shqipërinë jo. Edhe vendi i vetëm në rajon që e krijon energjinë 100% nga ajo e ripërtishme, nga energjia hidroteknike”.

“Por, fakti qe ne nuk jemi faktorë për ndryshimet klimatike, për shkak se kemi qenë te izoluar, e se nuk e kemi industrinë e rendë te zhvilluar nuk do të thotë se nuk jemi viktimë e ndryshimeve sepse na krijohen tërmete te paparashikuara dhe përmbytje. Brenda tri viteve pajisjet që përdorin gazet serre do të hiqen.  Shteti do të marrë kosto shumë me të larta për këto masa. Është e rëndësishme qe të marrim masa ligjore dhe financiare qe te integrohemi me BE-në por edhe ta ndryshojmë mentalitetitn. Duhet ta bëjmë ketë për brezat e ardhshëm. Sot është përgjegjësia jonë qe pas 50 vitesh situata të jete ndryshe, për mirë apo për keq”.

Dunja Mazzocco Drvar, drejtoreshë e Aktiviteteve Klimatike të Ministrisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm nga Republika e Kroacisë, tha se vendet e rajonit duhet të punojnë më shumë në prodhimin e energjisë solare pasi që e kanë këtë burim.

“Komunikimi dhe edukimi janë shumë të rëndësishme dhe duhet të merremi me këto dy gjëra në çdo hap. Duhet të punojmë me shumë në energjinë solare sepse deri tani prodhimi i energjisë solare është shumë i varfër. Kemi edhe burime tjera por ne kalkulimet tona nuk mjaftohen. Duhet qe edhe sektori privat të kontribuojë me fonde karshi atyre shtetërore apo edhe ndërkombëtare”.

Tutje ajo përmendi edhe qëllimin e Evropës, për t’u bërë kontinenti i parë neutral sa i përket emetimit të gazrave, teksa tha se Kroacia është ambicioze të ndihmojë në këtë drejtim.

“Qëllimi është qe Evropa dëshiron të bëhet kontinenti i parë neutral në emetimin e gazeve deri në vitin 2050 dhe Kroacia është ambicioze ne ketë aspekt. Kalkulimet tona tregojnë se emetimet duhet të ulen 89%. Na duhet edhe teknologjia e duhur prandaj po varemi edhe në zhvillimet që do të bëhen në të ardhmen.  Kroacia është në kufijtë e BE-së dhe kjo na jep edhe një përgjegjësi. Në vitet e fundit kemi pasur 2.8 bilionë euro nga dëmtimet si pasojë e eventeve natyrore. Kjo e tregon me se miri edhe koston e ndryshimeve klimatike”.

Të ngjashme