Për një vit janë ndërruar tre ministra të Brendshëm në Qeverinë e Kosovës. Ndërrimi i shpeshtë i ministrave, që drejtojnë dikasterin më të ndjeshëm në ekzekutiv, vlerësohet si joseriozitet i koalicionit qeverisës. Ministri i saposhkarkuar, Bejtush Gashi, ishte në këtë funksion vetëm nga fillimi i pranverës e deri në fillimin e vjeshtës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Vetëm brenda një viti Qeveria aktuale e Kosovës ka eksperimentuar tri herë me pozitën e udhëheqësit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Ministri i parë që vinte nga AKR-ja në këtë dikaster, Flamur Sefaj, ishte shkarkuar në fundmars të këtij viti, rrjedhimisht gjashtë muaj pasi ishte vendosur në krye të detyrës.
Dy javë pas kësaj kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, kishte marrë vendim që në krye të MPB-së ta sillte Bejtush Gashin, ministrin tashmë të shkarkuar. Edhe Gashi sikurse Sefaj timonin e MPB-së e kishin mbajtur jo më shumë se gjashtë muaj.
Ndërkohë, tash së fundmi lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka vendosur ta jetësojë përfundimisht kërkesën e deputetit të tij, Labinot Tahiri, që ta emërojë për herë të parë një ministër i cili vjen nga qyteti i Ferizajt. Kështu kreu i AKR-së si ministër të Punëve të Brendshme tashmë ka emëruar Ekrem Mustafën, i cili vjen pikërisht nga ky qytet.