Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka raportuar për takimin e mbajtur dje me zëvendëskryeministrin shqiptar të Maqedonisë, Bujar Osmani, cili ashtu si Hoxhaj është koordinator i takimit mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, raporton Ekonomia Online.
Hoxhaj tha se me homologun e tij kanë biseduar për përgatitjet lidhur me takimin e dy Qeverive.
Ai bëri të ditur se planifikohet që mbledhja të mbahet në prill mirëpo, siç tha, vendimi i takon dy kryeministrave.
Hoxhaj kërkoi nga ministrat që të përgatisin sa më shpejt listat për temat të cilat dëshirojnë të diskutojnë me shtetin maqedonas.
Ndonëse tha se janë rreth 30 tema, Hoxhaj veçoi temën për vazhdimin e autostradës nga Bllaca drejt Shkupit, ndërtimin e pikës kufitare në Bellanoc dhe Stanqiq dhe ofrimin e ndihmës për shtetin maqedonas rreth punës me sistemin dy gjuhësor.
“Dje kemi pasur një takim me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë i cili është poashtu koordinator për organizimin e takimit të dy Qeverive. Koha dhe vendi i mbledhjes i takon kryeministrit Haradinaj dhe homologut të tij, Zaev”.
“Janë diku rreth 30 tema që duhet të trajtojmë, ka edhe marrëveshje bilaterale por ka tema dhe çështje që mund të adresohen dhe të vazhdohen pa pasur një marrëveshje bilaterale dhe ligjore”.
“Duam që në mbledhjen e parë të kemi sa më shumë përmbajtje, të kemi substancë. Është mirë që secili prej jush sa më shpejt të dërgoni propozimet. Dua që në prill të ndodh mbledhja e Qeverive, por duam të kemi një kalendar se kush e propozon një temë, kush është përgjegjës dhe sa merr kohë”.