Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim një delegacion të përfaqësuesve të Shoqatës së bizneseve të Gjermanisë Lindore, të kryesuar nga drejtoresha rajonale e Evropës Juglindore Anja Quiring, si dhe të shoqëruar edhe nga zëvendësambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Jan Axel Voss.
Ministri Hamza dhe delegacioni i përfaqësuesve të Shoqatës së bizneseve të Gjermanisë Lindore, diskutuan në lidhje me bashkëpunimin ekonomik mes të dyja vendeve si dhe për mundësitë e rritjes së investimeve të bizneseve gjermane në Kosovë dhe anasjelltas.
Ministri Bedri Hamza falënderoj shtetin dhe taksapaguesit gjerman për kontributin që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën, ku sipas Ministrit Hamza, falë këtij kontributi kemi arritur që të realizojmë reforma dhe projekte tejet të rëndësishme për qytetaret e Kosovës.
Gjatë takimit, Ministri Hamza i informoi përfaqësuesit e bizneseve gjermane për situatën ekonomike në vend, me theks të veçantë për ambientin e të bërit biznes në Kosovë dhe reformat e ndërmarra nga Ministria e Financave për krijimin e kushteve sa më të favorshme për zhvillimin e sektorit privat, si bartës kryesor i zhvillimit ekonomik.
Në këtë takim gjithashtu u diskutua edhe për projektin e përbashkët të Parkut të Inovacionit në Prizren, ku Qeveria e Kosovës përmes Ministrive të linjës ka një rol aktiv drejtë funksionalizimit të tij.
Ndërsa, përfaqësuesit e Shoqatës së bizneseve Gjermane, vlerësuan lartë angazhimin e Ministrit Bedri Hamza dhe Ministrisë së Financave, për realizimin e projektit të Parkut të Inovacionit në Prizren. Ata, gjithashtu shprehën interesimin e tyre për mundësinë e investimeve në Kosovë, ku me këtë rast vlerësuan lartë angazhimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Financave për krijimin e një klime sa më të mirë të të bërit biznes, sidomos përmes reformave të politikave fiskale.