Ministri Berisha mori pjesë në manifestimin për “Ditën e Çlirimit” në Shqiponjë të Dushkajës

Prishtinë | 17 Maj 2018 | 15:49 | Nga

Në manifestimin për nderë të 17 Majit ,,Ditën e Çlirimit’’ dhe ,,Ditën e Dëshmorëve’’ të Shqiponjës së Dushkajës të Komunës së Gjakovës, në emër të Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës,  Ramush Haradinaj, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha bëri homazhe para obeliskut të dëshmorëve si dhe mbajti një fjalë rasti në emër të parit të Qeverisë.

Me këtë rast, ministri Rrustem Berisha çmoi lartë rolin e burrave dhe grave, djemve dhe vajzave të Shqiponjës së Dushkajës, të Komunës së Gjakovës, për kontributin në filet e organizimit të luftës së UÇK-së, konsolidimit e deri në përfundim të luftës, çlirimin e rajonit të Dushkajës dhe të vetë Shqiponjës, vendlindjes së shumë heronjve të UÇK-së, si dhe bazë e sigurt e strehimit dhe rrugë e furnizimit për shumë zona të luftës.

Në vazhdim, ministri Berisha, tha: ,,Jam shumë i nderuar, që sot në Shqiponjë, si ministër i FSK-së mund të ju drejtohem, në këtë ditë të shënuar, jo vetëm për shqiponjën, por edhe për trevën e Dushkajës, Gjakovës dhe tërë Kosovës. Këtë nderim e shpreh edhe në emër të kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotit Ramush Haradinaj’’.

,,Sa herë përmendet Shqiponja, në mbamëndjen tonë dhe të historisë, na vije kujtesa për pushkët e para të lirisë, pastaj shndërrimin e këtij territori në zonë të pakalueshme për forcat serbe në atë kohë, pikërisht nga dëshmorët e lirisë dhe heronjtë e Kosovës që i nderojmë sot, po edhe shumë luftëtarë të gjallë të këtyre trevave që malet e Dushkajës dhe Sukën e Cermjanit e bënë fortifikatë pararojë të Jabllanicës së atëhershme ndaj forcave të shumta serbe të asaj kohe…’’.

Më tej, ministri Berisha, në manifestimin e 17 Majit ,,Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Dëshmorëve të fshatit Shqiponjë’’ bëri një ndërlidhje të sakrificës së popullit tonë në luftën për çlirim si dhe aktualitetit, ku populli i Kosovës dhe shteti ynë është duke ndërtuar institucione të qëndrueshme të cilat garantojnë paqe dhe prosperitet për shtetin tonë dhe gjithë qytetarët e saj.

Pos ministrit Berisha, në Shqiponjë ishin edhe kryetari i Parlamentit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, deputeti Daut Haradinaj, gjeneralët e FSK-së, Xhevahir Geci dhe Fadil Hadergjonaj, koloneli Avdi Rraci, si dhe përfaqësues të shoqatave dhe institucioneve të vendit si dhe qytetarë të shumtë.

 

Të ngjashme