Ministri i MAShT-it, Shyqiri Bytyqi, ka njoftuar përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, se ai ka pritur sot në takim disa ekspertë të arsimit nga Malajzia, transmeton Ekonomia Online.
Bytyqi tha se gjatë këtij takimi ata kanë folur për mundësinë e një bashkëpunimi, me fokus të veçantë në arsimin e lartë.
Postimi i plotë:
Sot kam pritur në takim ekspertë të arsimit nga Malajzia, të prirë nga presidenti i Universitetit të Menaxhmentit dhe Shkencës, z. Mohd Shukri Ab. Yajid, me të cilët kam biseduar për mundësitë e bashkëpunimit, me fokus të veçantë në arsimin e lartë.
Gjatë diskutimit rreth reformave që po bëhen në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë, z. Mohd Shukri Ab. Yajid, i cili është po ashtu ekspert i edukimit i angazhuar dy herë radhazi në proceset e reformave në edukim në shtetin e tij, shprehu gatishmërinë që eksperiencën e tij ta ofrojë edhe për reformat arsimore në vendin tonë.
Falënderova z. Mohd Shukri Ab. Yajid për gatishmërinë për bashkëpunim dhe e njoftova për punën e grupit të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, që janë duke analizuar gjendjen e përgjithshme në arsimin e lartë, e që mbi bazën e rekomandimeve që do të dalin, do të orientohen edhe reformat tona.