Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot një delegacion të udhëhequr nga Jeremy Leffroy, deputet në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, i cili njëkohësisht udhëheqë edhe organizatën më të madhe parlamentare në botë “Global Parlamentary Network”, ndërsa Kosovën po e viziton në cilësinë e përfaqësuesit të këtij rrjeti në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Delegacioni po qëndron në Kosovë për një mision faktmbledhës rreth situatës së punësimit të të rinjve në vendin tonë, prandaj në takim u bisedua për sfidat, programet dhe planet që ka MAShT në sektorin e sektorin e arsimit, në veçanti ato çështje që lidhen me punësimin e të rinjve.
Ministri Bytyqi informoi delegacionin për ndryshimet që po bëhen në arsim, sidomos në atë profesional, në mënyrë që të zbutet përqindja e lartë e papunësisë që ka Kosova.
Ministri theksoi se sistemi i arsimit duhet të avancohet në të gjitha nivelet dhe po bëhen përpjekje të vazhdueshme që arsimi parauniversitar, por edhe ai universitar të zhvillohen dhe t’i përshtaten tregut të punës. Ai tha se tregu i punës ka shumë kërkesa, por nuk ka njerëz të përgatitur me shkathtësitë dhe kompetencat që kërkohen.
“Ka shumë sfida në këtë drejtim, por ne po punojmë vazhdimisht dhe si Ministri jemi të prirur për të marrë përgjegjësi, e jo për të ikur nga përgjegjësitë”, tha ministri Bytyqi, ndërsa falënderoi delegacionin për interesimin dhe vizitën, si dhe të gjithë partnerët që po japin kontribut në arsim.
Ndërsa, deputeti Jeremy Leffroy tha se qëllimi i vizitës është që të njihet me situatën sa i përket punësimit të të rinjve dhe gjetja e mundësive për t’i trajtuar së bashku mundësitë dhe se tashmë janë vizituar shumë vende të botës, ndërsa shtoi se kanë parë se kudo ka programe të shkëlqyeshme që ofrojnë punësim për të rinjtë, por nuk ka një program që do t’i bënte të gjithë së bashku për të dhënë kontributin në këtë drejtim.