Ministri Bytyqi takoi rektorët e universiteteve publike

Prishtinë | 07 Qer 2018 | 12:45 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka zhvilluar një takim me rektorët e universiteteve publike ku paraqiti disa pika të rëndësishme bashkëpunimi në mes të universiteteve publike të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë me interes për të dyja vendet, të cilat kanë dal nga takimi me ministren e Arsimit të Shqipërisë që është mbajtur muajin e kaluar.

Ministri Bytyqi foli për tryezën e përbashkët që planifikohet të organizohet më 10 Qershor në Prizren, në të cilën do të jenë prezent edhe rektorët e universiteteve publike, e që ndër temat kryesore të takimit do të jetë mobiliteti i profesorëve për programe të rëndësishme, por që janë në rrezik të mbyllen në mungesë kuadrosh, si dhe për  mundësinë e rritjes së kuotave për studentët kosovarë dhe anasjelltas për pranim në programet e avancuara  në vendet përkatëse.

Temë tjetër e rëndësishme e takimit të 10 Qershorit do të jetë bashkëpunimi më i ngushtë mes instituteve të historisë, me qëllim të harmonizimit dhe  funksionalizimit të të dy instituteve dhe krijimi i një trupe të përbashkët për njohjen e profesioneve të rregulluara mes dy vendeve.

Gjithashtu, në ketë takim diskutuam edhe për organizimin e një kampusi veror tradicional për studentët e të gjitha viseve shqiptare.

Të ngjashme