Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, priti në takim njoftues anëtarët vendor të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët sot u ratifikuan nga Kuvendi i Kosovës për të ushtruar detyrat dhe përgjegjësitë që kanë në të ardhmen.
Me këtë rast, ministri Bytyqi ka uruar anëtarët e rinj të Bordit të Agjencisë së Kosovës së Akreditimit dhe theksoi se ky akt miratimi i deputetëve është shumë domethënës për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë.
Sipas një komunikate nga MAShT-i, Bytyqi po ashtu ka falënderuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës për angazhimin e tyre në këtë proces si dhe gatishmërinë për ta futur si pikë të parë të rendit të ditës për diskutim, me çka edhe u kuptua rëndësia dhe pesha e kohës për ratifikimin e Këshillit. Në këtë kontekst ministri po ashtu ka falënderuar edhe shoqërinë civile për kontributin e saj në këtë drejtim.
“Në këtë takim është diskutuar për thirrjen sa më parë të mbledhjes konstituive në mënyrë që sa më shpejtë të zgjidhen organet drejtuese, po ashtu temë diskutimi ishte takimi Asamblesë së ENKA-s që do të mbahet më 19 prill 2018, në Spanjë dhe rëndësia që ky takim ka për Agjencinë Kosovare të Akreditimit”.
Ministri Bytyqi kërkoi nga anëtarët e rinj të KShC-së, që të jenë në nivelin e duhur të obligimeve dhe përgjegjësive që kanë, që me përkushtimin profesional dhe angazhim të pavarur, të jenë kredibil në vendimmarrje për të ndikuar në mënyrë sistematike në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe imazhin e AKA-së në përgjithësi.
“Ju tashmë keni punë dhe përgjegjësi të mëdha në kryerjen e obligimeve që keni, por krahas kësaj nuk do të mungojë edhe mbështetja e Ministrisë së Arsimit”, tha ministri Bytyqi.