Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar studentët të cilët i janë nënshtruar provimit pranues në Fakultetin Ekonomik.
Ai është pritur nga rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema si dhe dekani i Fakultetit Ekonomik But Dedaj.
Ministri i uroi suksese studentëve të rinj dhe përgëzoi stafin e këtij fakultetit për organizimin e testit pranues, raporton Ekonomia Online.
“Në këtë aspekt, ne mbështesim Universitetin e Prishtinës dhe jemi të sigurt se ky institucion, së bashku me Ministrinë dhe institucionet tjera do ta bëjë më të mirën e mundshme që të sigurojnë një kualitet të edukimit profesional”, tha ministri.
Ndërsa dekani i Ekonomikut, But Dedaj pati ankesa për ministrin. Ai tha se është shqetësues fakti që shumica e studentëve nuk e kalojnë as 40 për qind të testit pranues.
Sipas tij, për politikën kjo duhet të jetë shqetësuese që sistemi arsimor parauniversitar nuk po u jep nxënësve njohuri të mjaftueshme.
Rektori Dema, tha se ministri që në ditët e para ka shprehur interesim për këtë institucion që sipas tij, po kalon në reforma të mëdha.
Me konkursin e dytë për pranim në UP, do regjistrohen 1353 studentë, kurse kanë aplikuar 1484 studentë. Fakulteti Ekonomik gjatë këtij viti akademik në total do të pranojë 1905 studentë.