Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me një pjesë të stafit të MKRS-së dhe me drejtuesit e institucioneve shtetërore të kulturës, kanë bërë homazhe në nderim të artistit Rasim Thaçi-Cima, raporton Ekonomia Online.
“Nderimet e merituara figurës së dashur për publikun, ai një kohë ka qenë edhe sportist por përherë ka qenë artist, që është dalluar me lëvizje skenike dhe mesazhe që në kohëra të vështira jepte edhe mesazh politik”, u shpreh Çeku.
“…ne si ministri përveç nderimeve do ta kryejmë dokumentimin e punës së tij, që ajo t’i shërbej edhe gjeneratave të ardhshme”, tha Çeku para medieve.
Në këto nderime foli edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Teatrit Kombëtar, Naser Shatrolli.
“Jemi para Teatrit Kombëtar për të nderuar punën e tij, pozitivizmin e tij i cili me humorin e tij i ka dhëne kuptim jetik jetës tonë, me veprat dhe humorin e tyre, që na kanë dhënë shpresë me veprat e tyre, ka ngelë dhe do ngelet ikonë e humorit shqiptar”, tha Shatrolli, raporton EO.