Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria që të ndajë rreth 50 mijë euro që nevojiten për të bërë ekspertizat e nevojshme për të hequr dilemat dhe zbardhur rastin e Astrit Deharit, aktivistit të Vetëvendosjes, i cili vdiq në burg.
“Do të na duhen diku rreth 50 mijë euro për një ekspertizë që ta mbyllim këtë rast që ta kemi rezultatin përfundimtar”, tha Tahiri.
Ministri i ri i Drejtësisë ka shpjeguar para disa ditësh se për të hequr dilemat do të kërkojë të bëhet një “super-ekspertizë” në ndonjërin nga shtetet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se vendimi do të merret në mbledhjen e ardhshme.
“Do ta analizojmë. Nuk i ikim përgjegjësisë”, tha Haradinaj, duke shprehur edhe një herë keqardhjen për atë çka ka ndodhur. “E kemi humbur një djalë tonin”, u shpreh ai.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, e mbështeti këtë propozim.
Por, ai kërkoi nga kolegët që kur kanë kërkesa financiare, fillimisht t’i adresojnë në Ministrinë e Financave, e cila pastaj do t’i adresojë në Qeveri.