Ministri i ri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim njoftues drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidentin Besim Hasani, nën presidentin e parë, Memli Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj.
Të dy palët biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit mes MKRS-së dhe KOK-ut. Ministri i ri falënderoi presidentin e KOK-ut për punën e palodhshme, deri sa shprehu gatishmërinë për të kryer të gjitha procedurat e mbetura,siç parashihen në memorandumin e nënshkruar me KOK-un, në fillim të këtij viti.
Ministri u shpreh i hapur për të bashkëpunuar me KOK-un dhe për të dëgjuar kërkesat e tyre, derisa mori shembull punën e kryer nga Memli Krasniqi, në kohën kur ishte ministër për Kulturë, Rini e Sport.
Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani përgëzoi dhe i uroi suksese ministrit Kujtim Gashi, duke e njoftuar në pika të shkurtra me historikun e KOK-ut, procesin e pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, punën aktuale të bazuar në strategjinë e KOK-ut për ciklin olimpik 2017-2020, si dhe sfidat që e presin.
I pari i KOK-ut kërkoi nga ministri respektimin e memorandumit të nënshkruar për KOK-un, por edhe për federatat,memorandum këto të nënshkruara gjatë mandatit të ministrit Kujtim Shala.
Ai kërkoi gjithashtu që të bëhen disa ndryshime në Rregulloret për Kategorizimin e Sporteve, për eliminimin e disa defekteve. Po ashtu, u bisedua për nevojën dhe domosdoshmërinë e zbatimit të Rregullores për Kategorizimin e Sportistëve dhe Trajnerëve.
Hasani, në emër të KOK-ut, shprehu po ashtu gatishmërinë për të dhënë kontribut edhe në hartimin e rregulloreve të ndryshme, derisa veçoi nevojshmërinë për ndërhyrje edhe në Ligjin për Sportin.
Në emër të Lëvizjes Olimpike, presidenti i KOK-ut, shprehu gatishmërinë për të punuar në interes të objektivave strategjike, të cilat kanë në fokus sportistët, trajnerët dhe administratorët sportivë.
Në mënyrë që bashkëpunimi të nis që tani, ministri kërkoi që javën e ardhshme të mbahet një tjetër takim, derisa u pajtua edhe për propozimin e Hasanit, që takimet MKRS – KOK, të mbahen së paku një here në muaj dhe atë në fillim të çdo muaji.
Në fund, Hasani ndau disa dhurata simbolike për ministrin.