Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot, në një takim njohës, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, GregDelawie, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë dhe Ambasadës së SHBA-së në vendin tonë.
Ministri Gashi dhe ambasadori Delawie vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë të dy shteteve, e në veçanti të MKRS-së me Ambasadën Amerikane në dikasteret që ka në përgjegjësi ministria.
Ministri e falënderoi ambasadorin amerikan për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyer që Qeveria amerikane ka dhënë në shtetndërtimin e Kosovës dhe po jep për forcimin e shtetësisë së Kosovës.
Po kështu, ministri Kujtim Gashi e njoftoi ambasadorin Delawie për politikat dhe planet që po i ndjek MKRS-ja për zhvillimin e kulturës në vend dhe promovimin e diversitetit kulturor.
Ambasadori Delawie premtoi vazhdimin e bashkëpunimit në fushat që janë me interes të MKRS-së.
Po ashtu, ambasadori Delawie theksoi se qeveria e vendit të tij, përmes Ambasadës në Prishtinë, do të jetë përkrah ministrisë duke mbështetur aktivitete të ndryshme rinore e kulturore, të cilat e promovojnë diversitetin dhe respektin e ndërsjellë në Kosovë, si dhe aktivitetet e dizajnuara që të kundërshtojnë ekstremizmin e dhunshëm.
Ministri e ambasadori u pajtuan për thellim të bashkëpunimit dhe angazhimit në realizimin e projekteve konkrete në kulturë, trashëgimi, e me theks të veçantë në avancimin dhe integrimin e rinisë në jetën institucionale e shtetërore të Kosovës.