Ministri gjerman: Tash dimë më shumë për virusin, nuk do t’i mbyllnim përsëri dyqanet

Prishtinë | 02 Sht 2020 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se autoritetet tash dinë më shumë për koronavirusin e ri dhe se qeveria do ta trajtonte ndryshe këtë pandemi në të ardhmen.

“Me njohuritë që kemi sot, mund t’ju them se ne nuk do të kemi më nevojë që t’i mbyllim sallonet e floktarëve dhe dyqaneve”, tha ai në Bottrop, ku u përball me shumë kundërshtime dhe pakënaqësi.

Sipas tij, jo vetëm që terapitë mjekësore për trajtimin e koronavirusit janë përmirësuar, por shkencëtarët tash kanë më shumë mundësi për ta vlerësuar virusin, duke shtuar se tash është e mundshme të reagohet qoftë në nivel rajonal, qoftë lokal, shkruan The Guardian.

Minsitri Spahn tha se masat që tash për tash janë në fuqi, përfshirë përdorimin e maskave, kufizimin e numrit të njerëzve në tubime dhe mbajtjen e distancës, janë masa të duhura.

Ai e dënoi sjelljen e protestuesve që e kundërshtuan atë dhe që refuzuan të bisedonin me të si dhe ata që refuzuan të vendosnin maska në një protestë që u mbajt në Berlin gjatë fundjavës së kaluar.

Deri më tani, Gjermania i ka regjistruar më shumë se 9,400 të vdekur nga koronavirusi. Gjatë 24 orëve të kaluara, në këtë shtet u regjistruan 1,256 raste të reja të personave të infektuar, më shumë se në ditën paraprake.

Të ngjashme