Dy tenderë të planifikuar për një vlerë të përbashkët prej një milion eurove të Ministrisë së Punës, janë anuluar sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, të udhëhequr nga Hekuran Murati.
Dikasteri i udhëhequr nga ministri Murati anuloi dy tenderët e hapur në javën e fundit në detyrë të qeverisë Hoti.
Tenderi për “sigurimin fizik të objektit të MPMS” ishte hapur më 15 mars. Për këtë kontratë, Ministria kishte planifikuar 666 mijë euro. Ndërkaq, tenderi tjetër i anuluar sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ishte iniciuar për “shërbimet e pastrimit dhe mirëmbajtjes higjienike të objekteve të MMPS” më 22 mars.
Dy tenderët e hapur në javën e fundit të qeverisë Hoti, peshonin një milion e 49 mijë euro.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka anuluar dy kontratat për shkak të fuzionimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
“Duke patur parasysh faktin e MPMS me rregulloren e Re të Qeverisë së Republikës së kosovës është bashkuar me Ministrinë e financave dhe tani e tutje do të jetë Ministria e Financave , Punës dhe Transfereve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave për anulimin e kontratave.
Të dy tenderët do të ri-shpallen nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.