Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyti, vlerëson se e vërteta e thënë troç është filli i ndihmës që i duhet Kosovës.
Ai ka falënderuar shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Nataliya Apostolova, për deklaratat e saj rreth sistemit të arsimit në vend.
“Gjithë kapacitetet e shoqërisë vuajnë arsimimin e dobët. Një fëmijë i lindur në Kosovë është 56% më pak produktiv me arsimin që merr, sipas Bankës Botërore. Edhe Pisa 2015 na tregoi se: Programet e ngarkuara arsimore e studimore, mungesa e kapaciteteve për praktikimin e mësimit a studimit, stafet politike të etabluara në segmente profesionale (të cilat e kanë zënë sistemin dhe ulin standardet e arritshmërisë), nepotizmi familjar e politik janë baza determinuese e gjendjes jo të mirë në arsim,” shkruan Bytyqi në Facebook.
Sipas tij, shtresime të tilla të akomoduara brenda sistemit të arsimit nga nepotizmi politik dhe familjar janë faktor që po e ngufasin dhe degradojnë jo vetëm arsimin, por edhe gjithë aktualitetin tonë jetësorë dhe perspektivën integruese në botën e zhvilluar përmes standardëve të arritura.
“Andaj mungon zhvillimi ynë, andaj është e ngulfatur shoqëria, sepse deri më tani ka munguar guximi shtetëror për tu liruar nga segmente pushtetore që vinë nga myku . Qeverisjet edhe pse janë ndërruar nëpër kohë kanë lënë tentakulat e veta përdorimi i të cilave nga to është vet e keqja dhe mykja e sistemit,” shkruan më tutje ai.
Për më tepër, ministri Bytyqi thotë se organogrami i ri mëton fillin e ndryshimit.
“Na duhet mirëkuptim konkurrence, na duhet përzgjedhje profesionale dhe jo brenda mykut të shtresimeve,” tha Bytyqi.
“Impenjimi dhe mbështetja e gjithë faktorëve për të nxjerrë kualitetet në drejtimin e Arsimit (të kualifikuarit e padeformuar nga veset që ka prodhuar ndikimi politik), është garanci e vetme për një të nesërme më të mirë. Me të tilla objektiva ia vlejnë të lidhen edhe fatet politike!”