Ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, gjatë fjalës së tij në Kuvend lajmëroi se javën e ardhshme do të ketë takim në Këshillin e Sigurimit kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve në Kosovë.
“Javën e ardhshme do të organizojmë në KS një takim të formatit Arria. Takimi kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve gjatë konfliktit. Kosova do të ketë mundësinë të ndajë me mbarë botën eksperiencën e saj. Do vijojmë të mbështesim Kosovën për t’i dhënë zë në çdo hapësirë ku mundemi. Sulmi kriminal i 24 shtatorit ishte një kambanë alarmi për të gjithë ne. Zhvillimet që ndodhën më pas, burim i madh shqetësimi. Shpallja ditë zije për 3 kriminelë, sinjali më i rrezikshëm që Serbia mund t’i jepte rajonit. Gjest që shkon në drejtim të kundërt me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar. Shkon ndesh edhe me deklaratat e vetë Serbisë për gatishmërinë për marrëveshje. Kur fjalët nuk përkojnë me veprat, ka një problem serioz”.
“Shqipëria nuk mbështet dhe kundërshton prerazi çdo veprim që i fryn zjarrit të konfliktit. Përpjekjet e Serbisë për ta relativizuar ngjarjen e 24-shtatorit janë të kota. Ministeriali në Tiranë, sulmi në Kosovë u dënua edhe nga pjesëmarrës të tjerë në proces. I takon Serbisë të bëjë një proces hetimi të thellë dhe serioz. Nëse vërtetë janë të interesuar për dialog, fajtorët të vihen para ligjit. Dialogu Kosovë-Serbi, zgjidhja e vetme për tejkalimin e kësaj situate. Dialogu nuk duhet të mbetet peng i dinamikave të brendshme apo lojërave politike. Nga rezultati i Dialogut varet e ardhmja e gjithë rajonit. Dialogu duhet të vazhdojë pa humbur asnjë moment. Çdo kohë e humbur ka çmim më të lartë për të ardhmen e Kosovës. MEPJ do të vazhdojë të punojë ngushtë e pandalshëm me Kosovën”.