Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, është shprehur i tronditur nga vdekja tragjike e nënkolonelit Skender Hajdari.
“Nënkolonel Hajdari si personalitet me vlera të larta kombëtare, qoftë si luftëtar i UÇK-së, si intelektual dhe ushtarak profesionist i TMK-së e FSK-së, dha shumë për të gjitha të arriturat e deritashme të FSK-së, Ministrisë së Mbrojtjes dhe vendit në përgjithësi”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.
Telegram ngushëllimi i plotë:
“Të nderuar, bashkëveprimtarë, bashkëvendës, bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë të nënkolonel Hajdarit,
Dje na tronditi të gjithëve lajmi i hidhur për ndarjes tragjike nga jeta e nënkolonel Skender Hajdarit. Në cilësi të ministrit të Mbrojtjes dhe si bashkëpunëtor i tij, shprehë dhembjen e thellë për humbjen e madhe jo vetëm për familjen por edhe për institucionet shtetërore dhe shoqërinë tonë në përgjithësi.
Nënkolonel Hajdari si personalitet me vlera të larta kombëtare, qoftë si luftëtar i UÇK-së, si intelektual dhe ushtarak profesionist i TMK-së e FSK-së, dha shumë për të gjitha të arriturat e deritashme të FSK-së, Ministrisë së Mbrojtjes dhe vendit në përgjithësi. Ai, si lider, reflektoi edhe me karakterin dhe personalitetin e tij moral dhe profesional si shembull i ushtarakut me dinjitet e integritet të lartë. Në këto momente të vështira për familjen, jemi pranë tyre dhe bashkëndjejmë në dhembjen e madhe për të.
Qoftë i përhershëm kujtimi për jetën dhe veprat e nënkolonel Skender Hajdari!”.
Nënkoloneli Hajdari ka vdekur dje si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.