Ministri i padukshëm i Shëndetësisë, a e kishte fjalën për Arben Vitinë, çfarë thotë profesoresha Pupovci

Prishtinë | 09 Gus 2022 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Profesoresha e Mjekësisë, Hatixhe Latifi Pupovci s’ka dashur të komentojë më tepër mbi pretendimet se një “fantazmë” po e drejton ministrinë e Shëndetësisë.

E kontaktuar nga Gazeta Express mbi deklarimet e saj dhe aludimin se “ministri i padukshëm” në Shëndetësi është ish-ministri Arben Vitia, Latifi Pupovci tha se s’ka nevojë për më tepër elaborim dhe se është bindje e saj që s’do të thotë se është e saktë.

“Po më duket që ma tepër s’ka nevojë me e elaboru më tepër. Unë s’kam dashtë me përmend emra. S’kisha dashtë me hy ma tutje për arsye se e kam thanë qysh në fillim se është një bindje e imja s’është e thënë se është ashtu”, tha shkurt ajo.

Dje gjatë ditës, profesoresha Latifi Pupovci  i ka dalë në mbrojtje ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi pasi sipas saj atij po i bëhen ndërskamëza në ministri nga një “ministër i padukshëm”, duke aluduar në ish-ministrin Arben Vitia.

Latifi-Pupovci ka thënë se shëndetësisë publike po i jepet “shqelmi i fundit” sepse sipas saj po menaxhohet nga prapaskenat nga njeriu i cili ka kaluar në institucion privat.

Kujtojmë se pasi dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë dhe pas humbjes së zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia u emëruar drejtor i një spitali privat.

“Siç unë po i shoh “ndryshimet” në shëndetësi, tashmë po i jepet “shqelmi i fundit” shëndetësisë publike. Ja se pse? Sepse po menaxhohet nga njeriu i cili “është angazhuar” për shëndetësi publike ndërsa vet ka kaluar në institucion privat!!! Për ata që nuk e dijnë, shëndetësia nuk është duke u menaxhuar nga Ministri Latifi por nga “Ministri i “padukshëm” i cili e ka ditur se Ministri Latifi ka 40 vite që nuk punon në Kosovë dhe mund të ketë harruar se sa të veçantë jemi për të keq, se ai mund te ftohet per te “ndihmuar” ndersa i vehen ndërskamëzat nga të katër anët vetem per te dale i pasuksesshem e te menaxhoj i “padukshemi””, ka shkruar ajo.

Tutje, profesoresha e Mjekësisë, tha se është e padrejtë që t’i kërkohet dorëheqje ministrit Latifi në rrethanat e tanishme sepse sipas saj duhet të largohet “fantazma” për ta parë punën e ministrit Latifi.

“Po i kerkohet doreheqja Ministrit Latifi e cila mendoj se eshte krejtesisht e padrejte. Largone ” fantazmen” e shiheni punën e ministrit. Nese edhe atehere nuk ka sukses, ai edhe mund te shkarkohet, por jo nga keto rrethana. Sepse, ne keto momente Ministri Latifi edhe mund të shkarkohet por ngarkimi e shkarkimi flasin për joseriozitet në qasje për zgjedhjen e menaxhereve e kjo është shumë keq për VV, për mbështetësit e saj të vërtetë e më së shumti është keq për Kosovën e cila nuk e ka luksin e humbjes se kohës”, ka thënë ajo.

Të ngjashme