Ministri i ri jo shumë i njohur, ambasadori Petrit Malaj “prezanton” adashin e tij

Prishtinë | 28 Kor 2024 | 21:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, propozoi sot për postin e ministrit të ri të Financave, Petrit Malajn, drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, i cili do të pasojë në pozitë ish-ministrin, Ervin Mete.

Megjithatë, një situatë paksa komike është krijuar në rrjet dhe në disa media, ku të shumtë kanë qenë ata, të cilët e kanë ngatërruar Malajn me aktorin e njohur Petrit Malaj, i cili është aktualisht në detyrë si ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Përmes një publikimi në media sociale, ka qenë vetë Malaj (ambasadori), i cili ka sqaruar gjithë opinionin dhe i ka uruar po ashtu sukses adashit të tij në pozitën e re.

Reagimi i Petrit Malajt (ambasadori):

Të dashur miq,

E shoh të nevojshme të qartësoj publikun, e sidomos disa media, se kryeministri Rama sot ka propozuar drejtorin aktual të AKBN, me të cilin ndajmë të njëjtin emër, si Ministër të Financave të Republikës së Shqipërisë. I uroj suksese adashit tim në detyrën e re që kryeministri i ka besuar.

Unë vazhdoj të kryej me krenari funksionin e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë.

Kush është Petrit Malaj (ministri)

Petrit Malaj është aktualisht drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN).

Ai u zgjodh në këtë detyrë në janar të vitit 2024.

Sipas një CV-ja te publikuar, Petrit Malaj është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ka vijuar studimet për Master në “Business Administration” në Universitetin Wisconsin- La Crosse në SHBA , është kualifikuar për “Banking and Finance” në Universitetin Georgetown, SHBA dhe më pas ka ndjekur një program kualifikimi për Drejtimin e Tregut të Kapitaleve, të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë.

Ai ka një përvojë të pasur pune në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania”, pjesë e BDO International, grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave.

Të ngjashme