Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në kuadër të vizitës në komunën e Malishevës, është ndalur në fabrikën e mobileve “Delfina” në fshatin Kijevë. Bajrami ishte i shoqëruar nga zëvendësministri Faton Thaçi dhe bashkëpunëtorë tjerë.
Gjatë vizitës në këtë ndërmarrje, Hasani tha se është në dijeni se bizneset po përballën me disa probleme pas aplikimit të pakos së re fiskale. Por, siç u shpreh ai, do të mundohet që gjatë këtij mandati të përkrahë maksimalisht prodhuesit vendës.
“Ne biseduam me pronarin, i pamë shqetësimet e tyre. Pas aplikimit të pakos fiskale, ata kanë një shqetësim që për gjysmë produktet të cilat i përdorë kjo fabrikë ende nuk ka hyrë kodin doganor që do të implementohet. Ne kërkojmë nga Dogana dhe Ministria e Financave që sa më parë ta zbatojnë vendimin e Qeverisë, me të cilin kemi liruar të gjithë prodhuesit edhe nga vija e prodhuesit, nga lënda e parë dhe gjysmë produktet”, tha Hasani.
“Nëse edhe industria e drurit ka nevojë për një mbështetje të tillë, ka konkurrencë jo të barabartë edhe nga shtetet tjera që importojnë, jemi të gatshëm të ndërmarrin masa për t’i mbrojtur prodhuesit vendës”, deklaroi Hasani.
Kreu i MTI-së, i shoqëruar edhe nga zëvendësministri Faton Thaçi, si dhe me bashkëpunëtorë tjerë, vizituan më herët Komunën e Malishevës, ku u pritën nga kryetari i Komunës, Ragip Begaj.
Pas takimit, ministri Hasani bëri me dije se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka ndarë mjetet financiare për disa projekte të cilat parashihen të realizohen në këtë komunë. “Me kryetarin u dakorduam për dy projekte të mëdha. Për zonën e lirë ekonomike që ka vlerën e tre milionë eurove dhe për inkubatorin e bizneseve në vlerë 500 mijë euro. Ne kemi ndarë mjetet financiare dhe se po presim që komuna t’i kryejë punët e saj”, theksoi ministri Hasani.
Ndërsa, kryetari Begaj ka thënë se shumë shpejt do të fillojnë procedurat për shpronësim lidhur me këto projekte. “Këto projekte janë të rëndësishme. Ato pritet të fillojnë brenda 10 ditësh ose 2 javësh, derisa të përfundojë procesi i shpronësimit të tokave”, deklaroi Begaj.