Ministri Ismaili dhe FSK-ja shpërndajnë dhurata për fëmijët e shtrirë në Pediatri

Prishtinë | 24 Dhj 2018 | 16:18 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili bashkë me komandantin e FSK-së, Rrahman Rama të shoqëruar nga një numër i ushtarëve të FSK-së, vizituan Klinikën e Pediatrisë në QKUK, raporton Ekonomia Online.

Ata u kanë shpërndarë fëmijëve dhurata dhe kartolina me mesazhe të shkruara nga ushtarët me rastin e festave të fundvitit.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, u ka uruar shërim të shpejtë fëmijëve. Ai tha se fëmijët janë larg nga familjet e tyre andaj u nevojitet që dikush i bëjë të lumtur.

“Dua t’i falënderoj dhe pjesëtarët e FSK-së që kanë gjetur kohën dhe kanë shpërndarë dhurata të ndryshme për t’i bërë që ata të ndihen mirë në këtë kohë festive, edhe pse janë larg familjes për momentin. Iu uroj shërim sa më të shpejtë. Kjo ka qenë  arsyeja pse kemi ardhë sot. Dua të falënderoj dhe gjeneralin Rama dhe gjithë ushtarët që sot i bënë fëmijët të buzëqeshin”, tha Ismaili.

Gjatë bashkëbisedimit me fëmijët, pati edhe prej atyre që dëshirë kishin të bëhen ushtarë të Ushtrisë së Kosovës.

“Ju kanë dhanë shpresë, shumë prej tyre u lajmëruan që do të jenë ushtarë  të rinj të ushtrisë së Kosovës, pasi ta kalojnë këtë sfidë që e kanë para vetes. Andaj besoj gjeneral disa kadetë  i gjetëm. Uroj që shpejt të shërohen dhe të kthehen tek familjet e tyre. Faleminderit për dashamirësinë e madhe që  i bëtë të ndihen më të fortë”, tha ai.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, tha se me QKUK-në kanë bashkëpunim të vazhdueshëm dhe se ndihen shumë të lumtur që kanë arritur t’i gëzojnë sot fëmijët.

“Ne kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Klinikën Universitare në formante të ndryshme, si të trajnimit. Sot është një ditë  e veçantë që erdhëm ti vizitojmë këta fëmijë dhe ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë. E tha ministri, ne presim për një kohë të shkurtë që këta fëmijë të jenë ushtarë të Ushtrisë së Kosovës”, tha Rama.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku-Qosaj, tha se kjo përkrahje për fëmijët paraqet rëndësi të madhe.

“ Ishte një ditë e posaçme për ne meqenëse e vërejtëm në fytyrat e fëmijëve që ishte ngazëllim i veçantë kur i panë ushtarët tonë dhe ishte një dite shumë bukur për ta. Shpresojmë bashkëpunimet tona do të vazhdojnë ngase kjo përkrahje paraqet rëndësi të madhe për ne”, tha ajo.

 

Të ngjashme