Ministria e Shëndetësisë do ta mbështesë agjencinë “Millenium Challenge Corporation” nga Uashingtoni e cila do të hartojë një projekt për monitorimin e cilësisë së ajrit në Kosovë.
Ministri Uran Ismaili nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar se strategjia për kujdesin shëndetësor do të bazohet edhe në raportimin për ajrin e ndotur.
“Ministria e Shëndetësisë do të angazhohet konkretisht në dizajnimin e një sistemi të alarmit për shëndetin, bazuar në të dhënat e dala nga këto raporte të cilat deri tani i kanë munguar edhe institucioneve edhe publikut. Informimi i saktë është esencial në punën strategjike për kujdes shëndetësor. Ambient më të pastër, jetë më të gjatë”, ka shkruar Ismaili.
Ndotja e ajrit gjatë stinës së dimrit në vitet e fundit ka arritur nivele alarmante në Kosovë. Kjo ka shkaktuar edhe viruse të ndryshme tek pacientët, shumica prej të cilëve janë fëmijë.