Izraeli mund të përgjigjet ndaj çdo sulmi iranian që vjen nga Siria, duke rrëzuar Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ka thënë një ministër Izraelit, duke lënë të kuptohet se edhe Assadi mund të jetë cak i ndonjë vrasjeje.
Izraeli dhe Irani kanë rritur tensionet mbi Sirinë që prej shkurtit. Shqetësimet janë rritur se situata mund të përshkallëzohet, nëse presdienti amerikan, Donald Trump vendos të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin e arritur më 2015.
Më 9 prill, nga sulmet ajrore, shtatë ushtarë iranianë janë vrarë në një bazë siriane. Teherani për këtë sulm ka fajësuar Izraelin dhe është zotuar se do të kundërpërgjigjet.
Pas këtyre zhvillimeve, ministri i Energjisë së Izraelit, Yuval Steinitz, ka thënë sot se Assadi mund të bëhet shënjestër e shtetit të tij.
“Nëse Assadi lejon Iranin që ta kthejë Sirinë një pararojë ushtarake ndaj nesh, të na sulmojë ne nga territori sirian, ai duhet ta dijë se kjo do të jetë fundi për të, fundi për regjimin e tij”, i ka thënë agjencisë Ynet ministri Seinitz, transmeton Reuters.
I pyetur nëse kjo do të thoshte se Izraeli mund ta vrasë Assadin, Steinitz tha se “gjaku i tij do të humbë”. Ai gjithashtu sugjeroi se këto komente të tij nuk pasqyrojnë politikën e Qeverisë izraelite, duke thënë se “nuk po flas për ndonjë propozim konkret”.