Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka folur për Ekonomia Online në lidhje me pamjet e transmetuara në medie ku shihen fëmijë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, që dukej sikur po diskriminoheshin gjatë Festës së Abetares nga shkolla “Xhemajl Kada” në Pejë.
Ministri Krasniqi, i cili vjen nga komunitetet, tha se preferon të presë raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) para se të japë një vlerësim për këtë rast të veçantë. Por, ka lënë të kuptohet se rastet e këtilla “mund të përsëriten më shumë sesa në një vend”.
Ministri Krasniqi tha se diskriminimi dhe bulizimi i nxënësve nuk kanë vend në shkollat e Kosovës dhe se do të angazhohet maksimalisht që situata të avancojë në arsim.
“Unë kam reaguar menjëherë lidhur me situatën në Pejë. Për momentin po preferoj të presë raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Arsimit dhe mandej mund të flasim. Mirëpo raste të tilla janë të rënda dhe nuk kanë vend në Kosovë; raste të tilla nuk kanë vend në shkollat tona”, u shpreh ai.
“Si qeveri dhe ministri prej komuniteteve do të angazhohemi maksimalisht që situata në arsim të avancojë edhe më shumë, për shkak se nuk është kjo një diçka e përgjithshme, mirëpo raste të tilla nuk di se a janë të izolume, mirëpo prapë se prapë mund të përsëriten më shumë sesa një vend”.
“Peja është shembull për bashkëjetesën dhe për gjithëpërfshirjen. Nuk mund të etiketojmë as shkollën, as Pejën, për shkak të këtij rasti. Por, duhet të na alarmojë të gjithëve edhe si institucione dhe qytetarë që të koordinohemi më mirë dhe mos të lëmë hapësirë për bulizëm, për ndarje, sepse i bën dëm shoqërisë”. ka theksuar Krasniqi.
“Si shoqëri nuk guxojmë të krijojmë këso hapësira ku të tjerët bulizohen. Si përfaqësues politik i komuniteteve dhe si ministër, bashkë me ministren e Arsimit kemi nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit dhe kemi paraparë edhe financimin e bursave. Një program për brezin e ri edukatorëve nga radhët e komuniteteve dhe kjo bëhet që të ketë më shumë mësues nga radhët e komuniteteve në procesin e rregullt mësimor”, tha Krasniqi.
Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dje ka shkuar në shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë për t’u informuar për rastin e raportuar në një televizion për diskriminim të fëmijëve të komuniteteve joshumicë gjatë Festës së Abetares.
Ajo ka njoftuar se për këtë çështje, Ministria e Arsimit ka dërguar inspektorët për të shqyrtuar më në detaje ndodhinë.
“Nga vizita në shkollë u informova se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intensiv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme”.
Në këtë vizitë, Nagavci tha se ka vizitua disa klasa të integruara të mësimit të rregullt dhe se ka biseduar me udhëheqës të shkollës dhe me mësimdhënës për rastin e ndodhur, por edhe për, siç tha, punën që bëhet në këtë shkollë, e cila ka rreth 1400 nxënës, prej tyre rreth 230 të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe rreth 100 boshnjakë.
“Pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese për të gjithë ne. Këto pamje janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona. Si Ministri e Arsimit kemi ndërmarrë një varg politikash gjithëpërfshirëse. Ndër të tjera, kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian dhe sivjet për herë të parë do të përkrahim me bursa edhe studentët e këtyre komuniteteve, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijojmë kuadro që do të punojnë në shkollat tona”, ka shkruar Nagavci, në faqen e saj të Facebookut.
Ajo shtoi se është e rëndësishme që këto politika të gjejnë zbatim në të gjitha nivelet dhe në këtë drejtim është po aq i rëndësishëm angazhimi i mësimdhënësve, prindërve, komunitetit dhe medieve e shoqërisë civile.
“Megjithatë, duhet të jemi shumë të sinqertë dhe të ndershëm dhe të pranojmë se si shoqëri kemi akoma shumë punë për të bërë në fushën e gjithëpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve, e sidomos atyre që janë të margjinalizuar”.
Ndërkohë, OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” ka reaguar pas raportimeve se 10 fëmijë nga radhët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas nga komuna e Pejës në “Festën e Shkronjave të Abetares”, ishin ndarë në sallën ku po mbahej manifestimi.
Në reagim thuhet se një gjë e tillë është diskriminuese dhe cenon të drejtën e këtyre fëmijëve që festonin bashkë me fëmijët e tjerë dhe kërkon të merren masa adekuate, pasi rasti ka ndodhur në praninë e përfaqësuesve të institucioneve qendrore e lokale.
“Veprimet nga MASHTI dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Pejë, duhen të jenë urgjente dhe efikase në marrjen e masave adekuate ndaj rasteve të tilla që kanë ndikim negativ te këto komunitete dhe shoqëria në përgjithësi”, thuhet në reagim.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Pejë ka mohuar diskriminimin e fëmijëve minoritarë, duke theksuar se ishte një keqkuptim dhe se nxënësit nuk ishin pjesë e programit, i cili u dedikohej nxënësve që sapo kanë mbaruar Abetaren.