Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi për financimin e projekteve infrastrukturore në këtë komunë, në vlerë prej 8 000 000 €, kryesisht asfaltim i disa rrugëve në zonat rurale, raporton Ekonomia Online.
Gjatë vizitës në Deçan, ministri Lekaj tha se ministria të cilën ai e drejton do ta mbështesin këtë komunë me projekte të cilat kanë ndikim pozitiv në jetën e qytetarit.
“U zotuam që do ta mbështesim fuqishëm në projektet lokale që kanë impakt pozitiv për zhvillimin ekonomik por edhe për zhvillimin e turizmit. Ne nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Deçanit dhe u zotuam që këto projekte nuk do të stërzgjaten, do të jemi të saktë dhe me kohë në përfundimin e tyre”, tha ministri Lekaj.
“Lajm i mirë për Deçanin është edhe fillimi i rrugës Deçan-Plavë që është segment i rëndësishëm i lidhjeve të korridoreve, i lidhjeve të dy shteteve, Kosovë-Mali zi. Për Deçanin po vijnë ditë të mira dhe zotohemi që do të jemi mbështetës të fuqishëm në zhvillimin e Deçanit”.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se në takimin me ministrin Lekaj u fol për projekte të cilat ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.
“E falënderoj ministrin për përkushtimin dhe zotimin e tij. E bëmë një marrëveshje të bashkëpunimit dhe në bazë të kësaj marrëveshje, qytetarët e Deçanit janë përfituesit më të mëdhenj sepse po bëhet fjalë për një investim 8 milionë euro nga Ministria e Infrastrukturës”, tha Ramosaj.
Ndërkaq lidhur me zgjerimin e rrugës që dërgon në qendrën e qytetit, ai tha se nuk përfshihet në këtë shumë.
“Zgjerimi i rrugës është një projekt tjetër, sepse ne po presim magjistralen e Dukagjinit, që është nga Istogu në Gjakovë dhe komuna ka një buxhet dhe besoj prej javës tjetër do të fillojmë tenderimin për këtë projeksion buxhetor”, tha Ramosaj.