Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, po qëndron në Romë të Italisë ku është pritur nga Ministri i Ekonomisë të Italisë, Giovanni Tria, dhe përfaqësues të ndryshëm shtetëror me të cilët ka iniciuar bashkëpunimin e ndërsjellët në fushën e ekonomisë, me fokus të veçantë themelimin e agjencisë së participimeve, organizimin e vizitës së bizneseve italiane në Kosovë dhe themelimin e shkollës për politika publike, me karakter rajonal, me qëllim të ngritjes së aftësive të shërbyesve civil.
Ministri Lluka, i shoqëruar nga ish Kryeministri italian, Massimo D’Alema, i cili ishte në krye të qeverisë italiane në vitet 1998 – 2002 dhe i cili ndihmoi vendin tonë para dhe pas luftës, informoi homologun Italian, Tria, rreth potencialeve të ekonomisë së Kosovës në sektorin e energjisë dhe minierave si dhe për zonat ekonomike të cilat ekzistojnë në vendin tonë, ku në kombinim me kostot e ulëta operative, fuqinë e lire punëtore, tatimet e ulëta dhe pozicionin gjeografik të përshtatshëm, kompanitë italiane mund të bëhen më konkurruese në tregun Evropian.
Nga ky takim, u shkëmbyen edhe ide se si të aplikohet modeli italian për pjesëmarrjen e shtetit në ekonomi, duke rritur vlerën e aseteve publike para dhe pas privatizimit.
Italia është e shquar për privatizim të suksesshëm të aseteve publike, duke qenë pjesëmarrëse jo menaxhuese në kompani. E gjitha kjo është realizuar nga viti 1994 përmes agjencisë së participimeve, tashmë e njohur me emrin Shtëpia e Depozitave dhe Huave (Cassa Depositi e Prestiti), i cili institucion menaxhon portofolin prej rreth 290 miliardë euro dhe ku participon në ndërmarrje publike dhe private si aksionar jo kryesor, me përjashtim në asete strategjike të vendit.
Në këtë frymë, Ministri Lluka takoi edhe krye shefin ekzekutiv të kësaj agjencie, Fabrizio Palermo dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Thesarit Italian, i cili njëherë është edhe përgjegjës për privatizim, Alessandro Rivera, ku biseduan se si të krijohet një agjenci e tillë në Kosovë e cila ka për qëllim rritjen e vlerës së aseteve publike përmes përfshirjes së kapitalit dhe menaxhmentit privat dhe u pajtuan që një grup teknik nga kjo agjenci të vij në Kosovë në tremujorin e parë të vitit 2019 dhe të filloi përgatitjet për themelimin e këtij institucioni. Njëkohësisht, pas themelimit të agjencisë, të organizohet një vizitë me investitor italian që do të kishin interesim të ishin pjesë e këtij procesi.
Kosova ka mundësi të zhvilloj sektorin minerar, energjetik dhe bujqësinë përmes këtij agjencioni.
Në fund, kreu i MZHE-së falënderoi homologun e tij dhe shtetin italian për përkrahjen e vazhdueshme të Kosovës, gjatë luftës, në çlirimin e saj dhe në shtet ndërtim.