Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka pritur në takim Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z. Georg Schnetzer.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Austrisë, me theks të veçantë në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Ministri Muja vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për zhvillimin e sektorit bujqësor në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e projekteve të përbashkëta që kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese.
Me këtë rast, Ministri Muja prezantoi prioritetet e tij në kuadër të Ministrisë, duke vënë theks në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor, rritjen e konkurrueshmërisë, përkrahjen e fermerëve dhe avancimin e politikave të zhvillimit rural. Ai gjithashtu shprehu interesimin e tij për thellimin e bashkëpunimit me shtetin austriak, përmes projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës.
Ambasadori austriak, Georg Schnetzer, uroi Ministrin Armend Muja për detyrën e re, duke theksuar se shteti austriak do të vazhdojë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, si dhe mbështetjen për Ministrinë në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Takimi rikonfirmoi rëndësinë e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë dhe angazhimin e përbashkët për avancimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e përkushtuar për të forcuar partneritetet ndërkombëtare dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimore për fermerët dhe komunitetet rurale në vend.