Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në konferencë të përbashkët për media, me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për financim dhe zhvillim, ka thënë se Kosova ka përfituar nga Banka Botërore 376 milionë euro. Sipas tij, ka edhe marrëveshje të tjera, që janë nënshkruar dhe pritet që të nënshkruhen, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket financimit dhe bashkëpunimit që kemi me Bankën Botërore mund të them se është një partner krucial në zhvillimin gjithëpërfshirës të shtetit tonë. Agjencia ndërkombëtare për zhvillim ka qenë mbështetëse dhe Kosova tash e 15 vjet është anëtare e Bankës Botërore dhe tash e 15 vjet ka përfituar nga mbështetja e vazhdueshme nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim. Deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh që kemi aktualisht. Kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro, ndërkaq mbështetja që është disbursuar është 289 milionë euro deri më tani. Përveç kësaj, kemi edhe marrëveshje të tjera që janë në vijim që janë të nënshkruara apo priten të nënshkruhen siç janë, marrëveshja për mbështetjen e tregtisë dhe transportit që do të mbështes korridoret e gjelbra, lehtësimin e transportit e kësisoj shpresoj edhe lehtësimin e eksportit dhe rritjen e vazhdueshme të eksportit. Përveç kësaj kemi edhe projektin për sistemin informativ shëndetësor apo mbështetjen e sektorit të shëndetësisë që tashmë është nënshkruar vitin e kaluar dhe pret për ratifikim në Kuvend. Uroj që në legjislaturën që po vije këto marrëveshje të kenë mbështetjen e nevojshme”, ka thënë ai.