Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka vizituar sot kultivuesit e patates në Pestovë, për të parë nga afër të mbjellat pranverore.
“Këto të mbjella pranverore, si patatja, rrisin sasinë dhe cilësinë e ushqimit të prodhuar nga bujqit tonë, nga toka jonë, për familjet tona, prandaj është inkurajuese të shoh bujqit duke punuar tokat e tyre, me kujdes të shtuar duke respektuar udhëzimet e organeve të shëndetit publik” u shpreh ministri Mustafa.
Njëkohësisht, së bashku me Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë z. Xhafer Tahiri, ministri Mustafa vizitoi edhe kompaninë prodhuese dhe përpunuese të patates “Pestova”.
Gjatë kësaj jave ministri Mustafa ka riorganizuar programet mbështetëse të Ministrisë ashtu që, brenda buxhetit të miratuar, të ketë përqendrim tek të mbjellat pranverore që rrisin prodhimin vendor të ushqimeve, duke ofruar mbështetje të plotë bujqve prodhues në kohën e mbjelljeve pranverore, që të mos ketë ngecje në sektorin prodhues dhe përpunues në vend.