Në Bratislavë të Sllovakisë me 28 dhe 29, nëntor u mbajtën punimet e “Forumit të Salzburgut”. Përveç anëtarëve, në forum morën pjesë edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe disa Institucione të BE-së.
Fokusi kryesor i forumit u përqendrua në bashkëpunimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor me shtetet e BE-së në menaxhimin e flukseve të migrimit përgjatë “rrugës” së Ballkanit Perëndimor, si dhe në bashkëpunimin në luftimin e kontrabandës me narkotikë, armë dhe trafikimit me qenie njerëzore.
Republika e Kosovës u përfaqësua nga Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili të pranishmëve në forum iu adresua rreth temës së migracionit dhe bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar.
Ministri Mustafa duke trajtuar çështjen e migracionit theksoi se Kosova ende nuk është prekur nga lëvizjet e mëdha të flukseve të migrimit, megjithatë ka përgatitur planin e detajuar të reagimit, i cili do të aktivizohet në rast se paraqitet ndonjë fluks i mundshëm.
Tutje në adresimin e tij, Mustafa ndër të tjera theksoi që Republika e Kosovës është shembull i parë në rajon që ka themeluar: “Pikën e kontaktit për armë dhe eksploziv” e cila është vendosur në Policinë e Kosovës, respektivisht në Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
“Për Kosovën është me rëndësi rritja e bashkëpunimit përmes shkëmbimit të informatave në mënyrë të drejtpërdrejtë me Agjencitë e BE-së, por edhe me shtetet anëtare në mënyrë që të rritet efikasiteti i agjencive të zbatimit të ligjit për reagim proaktiv ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve”, theksoi ministri Mustafa.
Ministri Mustafa njëherit zhvilloi një takim bilateral me ministren e Brendshme të Republikës Sllovake Denisa Sakova. Në takimin u diskutua për bashkëpunimin bilateral në fushën e sigurisë, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Dy ministrat u dakorduan për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë.