Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka vizituar fermerin Besim Rexha, nga Barileva e Prishtinës, i cili ka të mbjella 73 hektarë me grurë.
Fermeri Rexha e njoftoi ministrin se këtë vit rendimenti është tepër i mirë dhe se ai pret të marrë rreth 7 tonë grurë për hektar.
Peci tha se ne kohën kur është bërë ministër në vitin 2021, kontakti me fermerët ka qenë i vështirë, për shkak të borxheve të shumta qe ministria kishte ndaj tyre.
“E kam filluar fushatën e parë të korrje-shirjeve në vitin 2021 me Besimin, në kohën kur ishte goxha sfiduese përballja me secilin fermer për arsye tashmë të njohura andaj zgjodha që fushatën e fundit të korrje-shirjeve për këtë mandat ta përmbyll po me Besimin, një bujk i zellshëm, punëtor e shembull nga fshati Barilevë i komunës së Prishtinës”, ka theksuar Peci.
“Më kujtohet kur jam bërë ministër në vitin 2021 dhe kontakti me fermerë ka qenë i vështirë për shkaka se ministria u kishte 40 milion euro borxhe. Për mu nuk ka më mirë se sa me pas vlerësimin edhe mirënjohjen e fermerëve”, ka thënë Peci.
“Se sa ka dallim bujqësia e ditëve të sotme me praktikat e mbrapshta të granteve të vitit 2016, më së miri ua tregon Besimi, praktika të cilat i eleminuam me vullnet të hekurt, kurse sot, falë meritokracisë dhe mbështetjes financiare të Ministrisë së Bujqësisë, tokat i punon me traktor ‘FEND’ modern, si dhe ka ngritur kapacitetet për depon ekzistuese për grumbullimin dhe ruajtjen e perimeve përmes Programit për Zhvillim Rural/ Grante”.
Ministri ka thënë se tani ndjehet mirë kur merr vlerësime e mirënjohje nga fermerët.
“Nga një bujk i cili veprimtarinë e ka filluar me vetëm 2ha tokë, sot ai punon qindra hektar tokë, me grurë, misër e perime. Besimi një fermer, patriot dhe ish-ushtar i UÇK-së, që i del Zot tokës me përkushtim e dashuri për vendin e tij”.
E fermeri Rexha ka thënë se fermerët në këtë kohë kanë qenë të kënaqur.
“Rendimentin do ta mbërrij mbi 7 tonë këtë vit. Fermerët në këtë periudhë kanë qenë të kënaqur”, tha Rexha.